INTERVISTË ME EDITOREN, POETEN, POLIGLOTEN DHE PROMOVUESEN RUMUNE CORINA JUNGHIATU-(ALBANIAN)
INTERVISTË
ME EDITOREN, POETEN, POLIGLOTEN DHE PROMOVUESEN RUMUNE CORINA JUNGHIATU
A. Kosta: E nderuar Corina, mirë se vjen në Gazeta Nacional! Karriera juaj
letrare ka filluar kur ishit 12 vjeçe. Çfarë ju frymëzoi të shkruani poezi në
një moshë kaq të re dhe si ka evoluar dashuria juaj për letërsinë ndër vite?
Corina. J: Faleminderit për mikpritjen tuaj kaq të ngrohtë, Angela.
Dashuria ime për letërsinë evoluoi nga thellësia e zemrës sime, e ushqyer nga
mirëdashja e fjalëve të shkruara. Kur isha 12 vjeçe, ndjeva një nevojë të madhe
për të shprehur ndjenjat që nuk mund t'i shpjegoja dot, ndaj poezia u bë streha
ime. Ishte si një kopsht sekret ku mund të mbillja mendimet dhe t'i lejoja të
lulëzonin në diçka të bukur, edhe nëse askush tjetër nuk mund t'i shihte. Më
kujtohet gjyshja ime, mençuria dhe mirësia e së cilës më "përqafonin"
gjithmonë, duke më mësuar se fjalët ishin një mënyrë për të shëruar shpirtin.
Kur ajo u sëmur rëndë, shkrova poezinë time të parë për të. Gjyshja thoshte se
çdo fjalë e thënë me dashuri mund të ndryshonte botën dhe me habinë time si
fëmijë, unë e besoja këtë. Me kalimin e viteve, pasioni im për letërsinë u
zhvillua shumë, u rrit si një mjet i thjeshtë i vetë-shprehjes në diçka më të
thellë.
A. Kosta: Ju jeni akademike në Filologji dhe në Psikopedagogji. Si kanë
ndikuar këto fusha në përqasjen tuaj me shkrimin dhe kritikën letrare?
Corina. J: Udhëtimi im akademik ka formësuar thellësisht qasjen time
ndaj shkrimit dhe kritikës letrare, duke thurur së bashku si aspektet
strukturore ashtu edhe ato emocionale të gjuhës. Filologjia, me eksplorimin e
thellë të gjuhës, letërsisë dhe historisë së teksteve, më ka dhënë një respekt
të thellë për nuancat e fjalëve, sintaksës dhe traditave letrare. Gjithashtu,
më ka bërë shumë të vetëdijshme për fuqinë që mban gjuha në vetvete, jo thjesht
si një mjet komunikimi, por si një bagazh me rëndësi kulturore dhe historike.
Ky kuptim më lejon t'i afrohem shkrimit si me sy analitik, po ashtu edhe me një
zemër që kërkon të zbulojë kuptime më të thella nën sipërfaqe.
Nga ana tjetër, psikopedagogjia, ka shtuar një shtresë empatie dhe mendjehollësi
në dimensionet psikologjike dhe emocionale si të shkrimit e ashtu edhe të
kritikës letrare. Kjo më ka mësuar ta shoh letërsinë jo vetëm si një krijim
estetik, por edhe si një mjet për të mësuar, për t'u rritur dhe për t'u
shëruar. Studimi i zhvillimit njerëzor dhe i psikologjisë arsimore më ka dhënë
ndjeshmërinë për të kuptuar se si letërsia mund të ndikojë në mendjen e
lexuesit, tek emocionet, madje edhe në udhëtimin e tyre jetësor.
A. Kosta: Duke qenë poliglote e pesë gjuhëve, mendoni se njohuritë tuaja për
gjuhë dhe kultura të ndryshme ndikojnë në punën tuaj poetike dhe pikëpamjen
botërore?
Corina. J: Sigurisht që po, sepse pikërisht kjo është ajo çka e ka
pasuruar si veprën time poetike, po ashtu edhe pikëpamjen time botërore në
mënyra që nuk mund t'i kisha imagjinuar kurrë. Çdo gjuhë që flas hap një
dritare unike në kultura, filozofi dhe mënyra të ndryshme të të menduarit.
Rumanishtja është gjuha ime amtare, ndërsa anglishten dhe frëngjishten e kam
studiuar në shkollë. Italishten e kam mësuar gjatë viteve që kam jetuar atje,
ndërsa arabishtja ishte gjuha që fillova ta mësoja në një shkollë siriane në
Bukuresht. Shpejt, ky u bë një pasion i imi dhe udhëtimet e mia në vendet
arabe, e thelluan edhe më shumë kuptueshmërinë. Pra, kjo është njësoj sikur të
mbaj çelësa të shumtë të botëve të ndryshme, secili duke ofruar një perspektivë
të veçantë mbi jetën, artin dhe përvojën njerëzore. Me pak fjalë, shumëghuhësia
im ka zgjeruar kufijtë e shprehjes sime krijuese dhe ka thelluar aftësinë time
për t'u lidhur me të tjerët në mënyra që kapërcejnë komunikimin e thjeshtë. Kjo
është një dhuratë që vazhdon të formësojë poezinë time dhe pikëpamjen time për
botën në mënyrat më të zgjeruara.
A. Kosta: Përmbledhjet tuaja poetike "Mërgimi në dritë" dhe
"Rituali i një agimi" janë vlerësuar shumë. Cili është mesazhi
kryesor që shpresoni t'u përcillni lexuesve nëpërmjet këtyre veprave?
Corina. J: "Mërgimi në dritë" është libri im i parë, që
përmban poezi të shkruara që nga mosha 12 deri në 25 vjeçe. Edhe pse që atëherë
kam evoluar shumë, megjithatë ai vazhdon të mbetet libri i shpirtit tim. Në
veprën time të dytë dhe në atë të ardhshme, shpresoj që mesazhi që dëshiroj të
përcjell tek lexuesit, do të jetë ai i rritjes, transformimit dhe fuqisë së
elasticitetit. Dua të përcjell udhëtimin e vetë-zbulimit dhe forcën që gjendet
në përqafimin e ndryshimit. Tashmë kam materiale për tre libra të tjerë, por
vitet e fundit, kam "luftuar" me kancerin, ndaj, shkruaj përditë si
një formë terapie për shpirtin, por ende nuk e kam gjetur forcën për t'i botuar
këto libra.
A. Kosta: Ju uroj shërim sa më të shpejtë e dashur Corina! Si themeluese dhe
Drejtore e Revistës Letrare "Verseum" dhe "Forumit Letrar
Verseum" çfarë qëllimesh keni arritur dhe çfarë do të donit të arrinit në
të ardhmen? Mendoni se këto hapësira kanë kontribuar në promovimin e poezisë në
shkallë globale?
Corina. J: Si Themeluese dhe Kryeredaktore e "Verseum Literary
Journal" dhe "Verseum Literary Forum", jam krenare që kam
ndërtuar këto platforma dhe media të cilat nxisin dialogun letrar global, duke
nxjerrë në pah "zëra" të ndryshëm që nxisin poezinë në format e saj
të shumta. Ne kemi arritur objektivat e rëndësishme, duke përfshirë botimin e
poetëve nga kultura të ndryshme dhe ofrimin e një rruge për vepra të freskëta
dhe me ndikim. Duke shpresuar të eci përpara, kam për qëllim të zgjeroj
shtrirjen tonë dhe të bashkëpunoj me komunitetet letrare ndërkombëtare. Këto
hapësira kanë kontribuar në promovimin global të poezisë duke krijuar lidhje
gjithëpërfshirëse, ndërkulturore që kapërcejnë kufijtë gjeografikë.
A. Kosta: Ju jeni vlerësuar me disa çmime prestigjioze, si "Çmimi
Gujarat Sahitya Akademi" dhe "Medalja e Urdhrit të Shekspirit".
Si ndiheni për këto merita dhe si ndikojnë ato në rrugëtimin tuaj si autore?
Corina. J: Sigurisht, këto më mbushin zemrën me mirënjohje të thellë dhe
më lumturojnë shumë, por megjithatë vlerësimi më i çmuar që mbaj pranë, është
gëzimi që ndiej kur dikush ndan se fjalët e mia i kanë mësuar diçka ose kanë
evokuar emocione pozitive brenda tyre. Nderi i vërtetë qëndron në dijeninë se
poezitë e mia kanë prekur zemrat, kanë ngjallur mendime dhe kanë sjellë
mbështetje ose frymëzim. Për mua, kjo lidhje me lexuesit, ndikimi im i ëmbël në
shpirtin e tyre, është merita dhe vlerësimi më i bukur nga të gjithë.
A. Kosta: Ju jeni gjithashtu një figurë kyçe në "Shiritat
motivues", forumi më aktiv i shkrimtarëve në botë. Si e shihni rëndësinë e
komuniteteve online për shkrimtarët dhe si kontribuojnë ato në zhvillimin e
letërsisë bashkëkohore?
Corina. J: Në këtë epokë dixhitale, komunitetet online si "Shiritat
Motivues" janë jetësore në bashkimin e shkrimtarëve anembanë globit. Ato
ushqejnë bashkëpunimin, amplifikojnë zëra të ndryshëm dhe ofrojnë një hapësirë
për dialog kuptimplotë. Këto platforma nxisin rritjen, duke e bërë letërsinë
bashkëkohore më përfshirëse, më të arritshme dhe më të harmonizuar me rrymat
gjithnjë në zhvillim të botës sonë.
A. Kosta: Si editore dhe promovuese, mendoni se poezia mund të kontribuojë
në nxitjen e mirëkuptimit ndërkulturor dhe dialogut midis feve dhe kulturave të
ndryshme?
Corina. J: Poezia, në formën e saj më të pastër, kapërcen gjuhën dhe
kufijtë, duke na lejuar të shijojmë dhe të analizojmë bukurinë e kulturave dhe
besimeve të ndryshme. Ajo hap zemrat dhe mendjet, duke nxitur empatinë dhe
kuptueshmërinë. Nëpërmjet shprehjes poetike, ne mund të ndërtojmë ura, të
nxisim biseda dhe të respektojmë njerëzimin e përbashkët që lidh të gjitha fetë
dhe kulturat.
A. Kosta: Ju keni qenë pjesëmarrëse aktive në festivalet botërore të poezisë
dhe veprimtaritë kulturore. Cilat nga këto përvoja kanë ndikuar apo ju kanë
frymëzuar më shumë si poete dhe si njeri?
Corina. J: Çdo festival global poezie apo event kulturor ku kam
marrë pjesë, ka qenë një përvojë pasuruese në të cilën kam pasur privilegjin
t'i organizoj disa, përkrah poetit dhe editorit Trandafir Simpetru. Këto
përpjekje bashkëpunuese jo vetëm që më kanë zgjeruar horizontet, por më kanë
forcuar edhe besimin në fuqinë e poezisë për t'u lidhur dhe frymëzuar nëpër
kultura.
A. Kosta: Përsa i përket të ardhmes, cilat janë projektet tuaja letrare dhe
profesionale? Çfarë shpresoni të arrini në vitet e ardhshme dhe si e
parashikoni evolucionin e shkrimit tuaj?
Corina. J: Duke parë vetëm përpara, aspiroj ta zgjeroj udhëtimin tim
letrar duke eksploruar shtigje të reja krijuese. Po mendoj të krijoj një
radiostacion, kanal televiziv dhe shtëpi botuese për të krijuar një platformë
më të gjerë për promovimin e letërsisë dhe artit. Dëshiroj ta bëj çdo hap me
kujdes dhe angazhim, duke ushqyer rritjen time si shkrimtare dhe duke përqafuar
sfida dhe mundësi të reja.
A. Kosta: Faleminderit shumë për intervistën Corina. Ju uroj çdo arritje dhe
sukses në jetë!
Corina J: E vlerësoj shumë mundësinë për të ndarë mendimet dhe përvojat
e mia në këtë intervistë. Faleminderit shumë Angela. Gjithashtu dëshiroj të
falenderoj Drejtorin e kësaj gazete prestigjioze, media e njohur gjithandej në
botë, e cila po më jep mundësinë të kem hapësirë në të, Dr Mujo Buçpapaj.
Falenderoj edhe të gjithë lexuesit shqiptar!!!
BIOGRAFIA
Corina Junghiatu, ka lindur në Bukuresht, Rumani. Është poete, shkrimtare dhe
kritike letrare e njohur dygjuhëshe. Me master në Filologji dhe Psikopedagogji,
si dhe diplomë Bachelor në Letërsi dhe Filozofi, Corina ka kultivuar një pasion
të thellë për letërsinë që në moshë të re, duke filluar udhëtimin e saj poetik
në moshën 12 vjeçare. Zotëruese e pesë gjuhëve të husja, Corina ka dhënë
kontribut të rëndësishëm në botën letrare.
Ajo është autore e dy përmbledhjeve të vlerësuara poetike: "Mërgimi në
dritë" dhe "Rituali i Lindjes së Diellit", me një përmbledhje të
tretë aktualisht në vazhdim. Përtej shkrimit të saj, Corina është një forcë
shtytëse në komunitetin letrar global. Ajo është Themeluese dhe Kryeredaktore e
Revistës Letrare Verseum dhe e Forumit Letrar Verseum. Përveç kësaj, ajo mban
rolin e Kryeadministratores dhe Koordinatores Globale të Botimeve për Shiritat
Motivues, forumi më aktiv i shkrimtarëve në botë. Gjithashtu vepron si
Kryekëshilltare për Bashkimin e Shkrimtarëve të Kombeve Botërorë në Kazakistan.
Arritjet e saj letrare kanë fituar njohjen e saj të gjerë, duke përfshirë çmime
prestigjioze si çmimi "Gujarat Sahitya Akademi" në vitin 2020 dhe
Medalja e Urdhrit të Shekspirit në vitin 2021. Ajo u nderua gjithashtu me çmimin
PREMIO MUNDIAL 2020 "CESAR VALLEJO" (Excellence in Literature), duke
u vlerësuar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në këtë fushë.
Poezitë e Corinës janë paraqitur në shumë revista dhe antologji kombëtare dhe
ndërkombëtare. Ajo është pjesëmarrëse aktive në festivalet botërore të poezisë
dhe ngjarjet kulturore, shpesh duke mbajtur rolet e bashkëorganizatores dhe
moderatores. Nëpërmjet përkushtimit të saj të palëkundur ndaj letërsisë dhe
kulturës, Corina vazhdon të frymëzojë dhe lidhë shkrimtarët dhe lexuesit në
mbarë botën.
Kosta:
Faleminderit shumë për intervistën Corina. Ju uroj çdo arritje dhe sukses në
jetë!
Corina J: E vlerësoj shumë mundësinë për të ndarë mendimet dhe përvojat e mia në këtë intervistë. Faleminderit shumë Angela. Gjithashtu dëshiroj të falenderoj Drejtorin e kësaj gazete prestigjioze, media e njohur gjithandej në botë, e cila po më jep mundësinë të kem hapësirë në të, Dr Mujo Buçpapaj. Falenderoj edhe të gjithë lexuesit shqiptar!!!
Corina J: E vlerësoj shumë mundësinë për të ndarë mendimet dhe përvojat e mia në këtë intervistë. Faleminderit shumë Angela. Gjithashtu dëshiroj të falenderoj Drejtorin e kësaj gazete prestigjioze, media e njohur gjithandej në botë, e cila po më jep mundësinë të kem hapësirë në të, Dr Mujo Buçpapaj. Falenderoj edhe të gjithë lexuesit shqiptar!!!
Comments
Post a Comment